Lewis Hamilton ka arritur fitoren e tij të 70 në karrierë në ‘Formula 1’. Në ‘Çmimin e Madh’ të Rusisë, britaniku pati edhe ndihmën e skuadrës dhe të shokut të tij, çfarë e afrojnë akoma më shumë me konfirmimin si kampion bote. Valteri Bottas do të mbante vendin e parë në gjysmën e parë të garës, ndërsa Hamilton do humbiste fillimisht vendin e dytë ndaj Vettel, për shkak të një gabimi në bokset e Mercedes. Megjithatu britaniku tregoi pse e meriton të shpallet sërish kampion, teksa kaloi rivalin e tij të Ferrarit vetëm 1 xhiro pasi doli nga bokset. Nga ai moment dy makinat Mercedes do garonin të qeta, derisa një urdhër skuadre detyroi Bottas t’i hapte rrugën shokut të tij të skuadrës.
Një moment ky që shkaktoi jo pak mërzitje dhe pakënaqësi, si në bokse ashtu edhe tek tifozët e pranishëm. Megjithatë, vetë Bottas tha në fund të garës se ishte një urdhër nga Toto Wolf dhe duhej respektuar, dhe bëri atë që ishte më e mira për skuadrën dhe shokun e tij tek Mercedes. Vettel do ta mbyllte garën i treti, por që nuk vlen shumë në luftën për titullin kampion. Tashmë Hamilton 306 pikë në renditje, plot 50 më shumë se Vettel i vendit të dytë. Sa i përket konstruktorëve, Mercedes vazhdon të thellojë diferencat me Ferrarin, që tashmë llogariten në 53 pikë.