Lewis Hamilton ka arritur një nga fitoret më të vështira të karrierës së tij. Kështu deklaroi piloti britanik i Mercedes pas triumfit në garën e Monacos, ku ia doli të lërë pas vetes të gjithë rivalët. Hamilton vuajti gjatë pjesës së dytë të garës presionin e madh të Max Verstappen. Holandezi i Red Bull ishte në një ritëm vërtetë të lartë dhe u përpoq deri në fund të parakalonte Hamilton, që ia doli të mbrohej mirë. Gjithësesi Verstappen do të përfundonte jashtë podiumit, pasi më parë piloti holandez ishte dënuar nga komisarët e garës me 5 sekonda, për shkak të një daljeje të rrezikshme nga bokset, ku pati kontakt me Valteri Bottas. Kështu podiumi u plotësua nga Sebastian Vettel me Ferrari dhe Bottas, ndërsa Verstappen duhet të kënaqet me vendin e katërt, përpara shokut të skuadrës, Pierre Gasly.
Zhgënjeu krejtësisht në garën e shtëpisë së tij piloti tjetër i Ferrarit, Charles Leclerc, që pasi u nis nga prapavija, arriti të fitonte fillimisht disa pozicione. Por në përpjekje për të rikuperuar sa më shumë, monegasku dëmtoi njërën nga gomat e pasme, çfarë i kushtoi jo pak talentit 20-vjeçar.Pas garës së Monacos, Lewis Hamilton ka konsoliduar pozitat e tij në klasifikimin e përgjithshëm, ku udhëheq me 137 pikë, teksa shoku i skuadrës, Bottas, e ndjek me 120 pikë. Të distancuar janë Vettel e Verstappen, që kanë përkatësisht 82 dhe 78 pikë. Ndërsa tek lufta për konstruktorë, Mercedes po kërkon të mbyllë llogaritë sa më shpejt, ku që në 6 garat e para ka siguruar një diferencë prej 118 pikësh.