Hamilton bën histori: Për herë të pestë…

Sport

hamilton rusi
I ka mjaftuar vendi i katërt në garën e Meksikës për t’u konfirmuar si kampion bote. Lewis Hamilton ka siguruar titullin e tij të pestë në karrierë në ‘Formula 1’, duke shkruar historinë, si një nga 3 të vetmit pilotë që kanë arritur të fitojnë të paktën 5 tituj kampionë. Njësoj si vitin e shkuar, është gara e Meksikës ajo që i jep fundit duelit mes Hamilton dhe Vettel, ndonëse në kalendar janë edhe 2 gara të tjera për t’u zhvilluar. Gjatë këtij sezoni, Hamilton ka triumfuar në plot 9 gara, teksa ka arritur podiumin edhe në 6 raste të tjera. ‘Çmimi i Madh’ u fitua nga Max Verstappen me Red Bull, që bëri thuajse një garë perfekte, ndërsa pas tij u renditën dy makinat Ferrari të Vettel e Raikkonen.

hamilton fitore
Por festa ishte e gjitha për Hamilton. Britaniku vazhdon të shkruajë histori dhe tashmë i ka siguruar vetes një vend në podiumin e legjendave të këtij sporti. 81 pole-position në karrierë, plot 71 fitore dhe 132 podiume për Lewis, i cili ka barazuar numrin e titujve të Juan Manuel Fangios, ndërsa tashmë synimi do të jetë arritja e rekordit të legjendës më të madhe të këtij sporti, 7 titujt e Michael Schumacher. Mercedes dhe Hamilton po dominojnë botën e ‘Formula 1’ gjatë kësaj dekade, por triumfet ‘shigjetave të argjendta’ me gjasa nuk do të ndalen. Vettel e Ferrari kanë dështuar sërish. Red Bull e Verstappen kanë ende shumë punë për të bërë. Në bokset e ‘Formula 1’ të gjithë janë të një mendimi: “Vetëm 1 Schumacher mund të mposhtë Lewis Hamilton”.