Hakan Çalhanoglu, ja kur mund të jetë gati mesfushori i Interit

Sport

Hakan Çalghanoglu mund të mos jetë gati për Interin as në ndeshjen derbi ndaj Milanit në javën e ardhshme të Serie A. Mesfushori pësoi një dëmtim muskulor në finalen e Superkupës pikërisht ndaj Milanit, e prej atëherë, nuk ka qenë dot gati për ekipin zikaltër. Përgjatë kësaj kkohe, turku ka humbur 5 ndeshje gjithësej në të gjitha garat, ndërsa nuk është ende në formën më të mirë për të zbritur në fushën e lojës.

Mediat matanë detit bëjnë me dije se Hakan do të mungojë me siguri edhe në ndeshjen e mesjavës ndaj Monacos në Champions League, e fundit për Fazën e Ligës dhe vendimtare për kualifikimin direct të Interit në raundin e 1/8-ave të kompeticionit. Vetëm pak ditë pas përplasjes me skuadrën franceze, zikaltërit do të sfidohen me Milanin në Serie A. Për derbin, Hakan Çalhanoglu mund të grumbullohet nga trajneri Simone Inzaghi, por aktivizimi i tij që nga minuta e parë, duket thuajse i pamundur.

Ndonëse deri në çastin e derbit, duhen ende edhe disa ditë të tjera, 30 vjeçari nuk ndihet ende gati për të marrë shumë minuta në këmbët e tij. Për këtë arsye, në kampin zikaltër, duke nisur nga Inzaghi i pari, nuk duan të nxitohen, por do të presin me durim riaftësimin e plotë të futbollistit në fjalë. Për Hakan, ekziston mundësia që të marrë disa minuta në pjesën e dytë, në varësi të situatës.

Në Champions League ndaj Monacos, e sigurt është gjithashtu edhe mungesa e mbrojtësit të qendrës, Francesco Açerbi, i cili që prej fundit të Nëntorit vuan nga një tërheqje muskulore në kofshë. Megjithatë, procesi i rikuperimit të lojtarit në fjalë ka shkuar mirë dhe ai duket pranë rikthimit në fushë. Italiani mund të jetë gati për duelin ndaj Milanit.