Kur fundi i sezonit po troket dhe faza vendimtare ka nisur, Interi është një prej skuadrave të pakta në 5 ligat kryesore të Europës, që është në garë për të fituar të gjitha kompeticionet ku merr pjesë, qoftë në Champions League, Serie A, apo edhe në Kupën e Italisë.
Një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës zikaltër, është Hakan Çalhanoglu. Për mediat, mesfushori ka thënë se pasi ka fituar gjithçka me Interin në Itali, tani, ambicia e tij është ta bëjë diçka të tillë edhe në Europë. Por, 31 vjeçari nuk është ndalur me kaq. Ish-lojtari i Milanit, synon që me ngjyrat zikaltër, të fitojë edhe çmimin më të vyer personal për një futbollist; të shpallet lojtari më i mirë në botë dhe të fitojë topin e artë.
“Uroj të fitojmë gjithçka. Po përpiqemi ta prezantojmë Interin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe e dimë përgjegjësinë që kemi. Në Itali kam fituar çdo gjë, kështu që synimi im është të fitoj titullin e Champions League. Duke qenë se u mundëm 2 vite më parë, ëndrra ime është të rikthehemi sërish në finale dhe këtë herë të fitojmë. Ndoshta, pse jo, të fitoj edhe Topin e Artë. Pastaj, edhe ngritja e një tjetër titulli kampion në Itali, është gjithashtu diçka e rëndësishme”, ka thënë ndër të tjera Hakan Çalhanoglu.
Deri në këtë fazë të sezonit, Interi është në çerekfinale të Champions League, atje ku do të ndeshet me Bayern Munich. Në Serie A është në vendin e parë, kurse në Kupë, ndodhet në gjysmëfinale, ku përballë do të ketë rivalin e përjetshëm të qytetit, Milanin.