Shtohen lojtarët me origjinë shqiptare në Bundesligën gjermane, ekskluzivitet I Tring për 4 vitet e ardhshme. Albian Hajdari ka bërë një hap të madh në karrierën e tij, duke u transferuar nga Lugano te Hoffenheim në Bundesligë, një nga pesë ligat më të forta në Evropë. “Mezi pres ta filloj sfidën te Hoffenheimi dhe në Bundesligën gjermane, një nga top-ligat evropiane. Bisedimet me drejtuesit e klubit ishin shumë të mira. Synimi im është të jap gjithçka në fushë dhe të kontribuoj për realizimin e objektivave të skuadrës”, ishin fjalët e para të tij gjatë prezantimit me ekipin e ri.
Duhet thënë se mbrojtësi 22-vjeçar ishte një nga elementët më të spikatur të Luganos dhe konsiderohet një shpresë e përfaqësueses zvicerane. Megjithëse dukej sikur do të transferohej në Premier Ligë në Angli, ja që Hajdari përfundoi në Gjermani, ku do të bashkohet me Fisnik Asllanin dhe Leon Avdullahun, dy futbollistë me origjinë shqiptare që luajnë te Hoffenheim. Ky transferim erdhi pas lëndimit serioz të Koki Machidas, duke krijuar nevojën për një qendërmbrojtës të ri. Hajdari është zhvilluar te Baseli dhe Juventusi, ndërsa te Lugano ka luajtur që nga viti 2022, duke u bërë një nga lojtarët kyç të skuadrës.