Habit 19-vjecari, thyen rekordin botëror të “bishës” së notit

Sport

Hungarezi Kristof Milak ka befasuar të gjithë duke thyer rekordin botëror në garën e 200 metrave në stilin flutur gjatë Botrërorit të notit që po zhvillohet në Korenë e Jugut. 19-vjeçari regjistroi kohën prej 1:50.73, duke thyer rekordin e mbajtur prej më shumë se 10 vitesh nga legjenda amerikane Michael Phelps me 0.78 sekonda. Një diferencë kohore kjo jashtëzakonisht e madhe për këtë lloj disipline sportive. Arritja e hungarezit bëhet akoma më pabesueshme po të merret parasysh fakti se rekordi i Phelps u vendos me kostumet “super suit”, produkte këto që prej disa vitesh konsiderohen ilegale nga organizmat drejtuese të sportit të notit. Vetë hungarezi ka shprehur të gjithë gëzimin e tij për këtë arritje: “Eshtë ndjenjë e mrekullueshme.

Nuk e prisja të thyeja rekordin e një notari si Felps. Rekord të cilin ai e kishte vendosur kur unë isha vetëm 9 vjec…Vërtet ndihem tepër i nderuar që theva një rekord botëror. Por gjithsesi isha i përgatitur për t’ia dalë mbanë në këtë garë. U shpërblye i gjithë mundi im. Për mua, tani do të jetë shumë më e vështirë për të bërë më mirë se kaq!”, deklaroi notari hungarez.