Mund të thuhet se ka qenë një periudhë gati masakruese për Argjentinën, që vetëm në minutat e fundit në ndeshjes kundër Nigerisë arriti të gjejë kualifikimin 1/8-at e këtij Botërori. Tashmë është momenti që të marrë pak frymë e të clodhet përpara ndeshjes së të shtunës kundër Francës. Por ja që duket sikur Messin me shokë nuk e lënë të qetë. Fati ka dashur që hoteli ‘Ramada’ ku janë spostuar “albicelestët” në qytetin e Kazanit para të tetave të finaleve, të jetë pikërisht me vështrim nga një mural gjigantesk i Cristiano Ronaldos, që shkel syrin.
Gjithçka vjen prej fatktit se në atë hotel me 4 yje të qendrën e qytetit rus, vitin e kaluar qendronte përfaqësuesja e Portugalisë, me rastin e “Confederations Cup”. Prandaj, rusët përmes një pikturimi të tillë deshën të bëjnë një homazh për CR7-ën. Mirëpo ndoshta nuk e dinin që aty tani do të vinte Messi, i cili është i detyruar të shohë disa ditë me radhë nga dritarja e dhomës së tij fytyrën e atij që konsiderohet si rivali i përjetshëm. Ai, që ndoshta e pret për t’u ndeshur në cerekfinale. Po, sepse nëse luzitanët do të eleminojnë Uruguajin dhe njëkohësisht argjentinasit kalojnë pengesën franceze, atëherë do të ketë një përballje të shumëpritur midis Messit e Ronaldos. Sfidë, që premton vërtet spektakël. Dhe kushedi, fakti që do ta shohë cdo ditë fytyrën e portugezit, mund ta stimulojë edhe më tepër Messin për të treguar cilësitë e vërteta të tij. Gjë nga e cila mund të përfitonte shumë edhe Argjentina.