Habia, Abazaj nuk aktivizohet me Anderlechtin as në Kupë

Sport

abazaj aktivizim

Pritej që Kristal Abazaj të kishte hapësirë më në fund te Anderlechti në ndeshjen e fazës së 1/8 të Kupës së Belgjikës kundër Union Sent-Zhiluas. Por, sërish, lojtari i transferuar gjatë verës nga Luftëtari, përsëri nuk ka mundur dot të ketë vend qoftë edhe në stol. Një vendim i habitshëm i trajnerit Hein Vanhezebruk, që pavarësisht se ka bërë mjaft rotacion me qëllim testimin e atyre që kanë luajtur më pak, Abazajn nuk e ka përfshirë në këto prova. Duket se disa probleme fizike të tipit muskulor kanë bërë që talenti i Shpresave kuqezi të mos llogaritet nga tekniku belg. Fakti që nuk u huazua në ditët e fundit të merkatos bëri të mendoj se lojtari gëzon besimin e drejtuesve.

abazaj 890x395

Ja që moskativizimi i vazhdueshëm ngre dyshime rreth asaj që po ndodh me Abazajn.
Transferimi tek Anderlehti u konsiderua hap shumë i rëndësishëm për lojtarin që spikati në kampionatin shqiptar, aq tërhoqi edhe vëmendjen e gjigantit belg. Disa paraqitje të mira në miqësoret e fazës përgatitore krijuan iluzionin se 22-vjeçari do të merrte minuta të mjaftueshme në këtë përvojë të parë që provonte larg Shqipërisë. Mirëpo faktet thonë të kundërtën, përderisa kanë kaluar dy muaj nga fillimi i kampionatit dhe Abazaj pret ende të debutojë në një sfidë zyrtare me Anderlehtin. E nëse kjo situatë do të vijojë ende, zgjidhja e vetme në të mirë të futbollistit do të ishte huazimi në një ekip brenda Belgjikës, për t’u ambientuar me futbollin aty.