Mjaftoi ai debutim ëndrrash në ‘Champions League’ për të kthyer emrin e Erling Braut Haaland në një ndër më të përfolurit në arenën europiane. Sulmuesi 19-vjeçar realizoi një tripletë brenda pjesës së parë, në fitoren 6-2 të Salzbugut ndaj Genk, duke bërë që e gjithë vëmendja të zhvendosej mbi të. Në fakt, norvegjezi ka bërë një nisje të çmendur të sezonit, pasi në 10 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ka shënuar plot 17 gola. Me paraqitjen që bëri ndaj Genk, të shumtë ishin ata që e shihnin sulmuesin të denjë për një skuadër të madhe, por vetë Haaland kërkon t’i marrë gjërat shtruar. Ylli i Salzburg shprehej se është i përqëndruar vetëm tek skuadra e tij aktuale, por pranoi se do të ishte i gatshëm për çdo sfidë që mund t’i paraqitej.
Një nga klubet me të cilat ai ka një lidhje të veçantë, është edhe Manchester United. Kjo për shkak të trajnerit të ‘djajve të kuq’, Ole Gunnar Solskjaer. Ky i fundit ka qenë ndër të parët që ka mbështetur dhe ka besuar në aftësitë e Haaland, që kur Solskjaer ishte trajner i Moldes. Vetë Haaland pranoi se Solskjaer ka qenë një figurë shumë influencuese mbi të dhe se falë tij ai ka arritur të mësojë shumë. Ribashkimi me Solskjaer do të ishte vërtet diçka e bukur, të cilën Haaland thotë se do e mirëpriste, pasi siç ka treguar edhe në këtë fillim sezoni, Solskjaer është një nga ata që i mbështet futbollistët e rinj. Shumë media e kanë lidhur emrin e Erling Braut Haaland me skuadrën e Manchester United, por që sulmuesi të bjerë vërtet në radarët e gjigandëve anglezë, duhet të vijojë të luajë në formën e shkëlqyer që gëzon aktualisht.