Haaland si lider i Man.City, Dortmund bën detyrën para “murit të verdhë”

Sport

Erling Haaland nuk ka ndërmend të ndalet së shënuari edhe në ‘Champions League’. Sulmuesi norvegjez udhëhoqi Manchester City drejt fitores së thellë 4-0 në transfertën ndaj Sevilla-s, në atë që ishte edhe sfida e parë në grupin G. Vetëm 20 minuta rezistoi mbrojtja e spanjollëve kundër furisë së Haaland, që shfrytëzoi më së miri një asist të Kevin De Bruyne. Në pjesën e dytë, çdo gjë u bë më e thjeshtë për të besuarit e Pep Guardiolës, që gjëtën rrugën e rrjetës edhe 3 herë të tjera; sërish me Haaland, Phil Foden dhe Ruben Dias. ‘Cityzens’ janë më shumë se të lumtur me një lider si Haaland, që u bë i pari lojtar në historinë e klubit që ia del të shënojë gol në debutimin në kampionat dhe në ‘Champions League’ me fanellën e kaltër. Madje, sulmuesi 22-vjeçar është i katërti lojtar në historinë e elitës së futbollit europian, që ia del të shënojë në ndeshjet e para në këtë kompeticion me secilën nga tre klubet që ka luajtur deri më tani, diçka që më parë është arritur vetëm nga emra si Javier Saviola, Fernando Morientes dhe Zlatan Ibrahimovic.

Në ndeshjet tjetër të grupit G, ish-skuadra e Haaland, Borussia Dortmund, ia doli të respektonte pritshmëritë e të mposhtte 3-0 Copenhagen. Të mbështetur nga ‘muri i verdhë’, lojtarët e Dortmund e patën të thjeshtë për ta dominuar sfidën, duke marrë një avantazh prej dy golash që në pjesën e parë, falë realizimeve të Marco Reus dhe Raphael Guerreiro. Në pjesën e dytë do të kishte vend për festën e Jude Bellingham, i cili shfrytëzoi më së miri asistin e Giovanni Reyna. Për mesfushorin 19-vjeçar, kjo ishte paraqitja e tij e 17 në ‘Champions League’ dhe asnjë anglez tjetër nuk ka luajtur kaq shumë ndeshje në këtë kompeticion në një moshë kaq të re.

Manchester City dhe Borussia Dortmund marrin kështu kreun e grupit G, me kampionët e Anglisë që kanë numrin e golave të shënuar në favor, me Copenhagen dhe Sevilla që duhet të presin javën e dytë që të provojnë të shijojnë pikët e para në këtë sezon.