Haaland shkakton “betejë” mes Real Madrid dhe Manchester City

Sport

Real Madrid dhe Manchester City bëhen gati për betejë, por këtë herë jashtë fushës së lojës, e konkretisht për Erling Haaland. Në merkaton e ardhshme të verës, norvegjezi pritet të largohet nga Borussia Dortmund, drejt një tjetër destinacioni. Duke iu referuar këtu raportimeve nga mediat e huaja, në pole-position për të firmosur me Haaland është Real Madrid, pasi edhe vetë dëshira e sulmuesit është që të luajë për Los Blancos për vitet e ardhshme të karrierës së tij. Megjithatë, në këtë mes pritet të ndërhyjë Manchester City, që në fakt prej disa kohësh është në kërkim të një sulmuesi qendre, sidomos pas largimit të Sergio Agueros. Ndonëse kanë siguruar shërbimet e Julian Alvarez nga River Plate për 20 milion euro, kampionët në fuqi të Premier League do japin maksimumin për të negociuar me shtatlartin e Dortmundit, i cili edhe këtë sezon po kalon një formë fenomenale në Signal Iduna Park, teksa ka realizuar 23 gola në vetëm 20 ndeshje të luajtura me verdhezinjtë.

Më interesante këtë garë e bën edhe fakti se në kontratën që Haaland ka me Borussian, është aktivizuar klauzola prej 80 milion eurosh, çka do të thotë se klubet mund të negociojnë me lojtarin edhe për një shumë të tillë, pa qenë nevojë të shpenzojnë asgjë më tepër se kaq. Të tjera zhvillime pritet të ndodhin në të ardhmen e afërt në lidhje mbi këtë çështje.