Pas Kristal Abazajt, edhe Sindrit Guri ka zyrtarizuar vazhdimin e karrierës në kampionatin belg. Sulmuesi i Kukësit ka gjetur akordin me klubin e Oostende, me të cilin do të firmosë për 3 sezonet e ardhshme. Një transferim frutdhënës edhe për klubin kukësian, që do të marrë 710 mijë euro nga shitja e golshënuesit më të mirë të Superligës shqiptare, autor i 20 realizimeve në 35 ndeshje. Në garë për lojtarin e talentuar ishte edhe klubi i Gent, por diferencën duket se e bënë garantimi i hapësirave të aktivizimit dhe ngulmimi i Ostendes për ta pasur Gurin në gjirin e vet. Këtë e ka pranuar edhe vetë lojtari: “Kishte interesim edhe nga klube të tjerë, por më tërhoqi serioziteti i Oostende dhe besimi i fortë që treguan për të më pasur me çdo kusht. Për ndërtimin e një karriere të qëndrueshme, kampionati belg është perfekt për mua. Dua të tregoj atë se çfarë jam në gjendje të bëj. Ndihem i lumtur që Oostende është klubi im i parë jashtë Shqipërisë”.
Lajmi është zyrtarizuar nga vetë klubi belg në faqen zyrtare, ku ka njoftuar se kanë arritur një marrëveshje me sulmuesin 24-vjeçar, i cili ka impresionuar këtë sezon me klubin verilindor, sidomos në gjysmën e dytë të sezonit. Ndërsa në lidhje me transferimin, drejtori sportiv i klubit, Hugo Broos, ka deklaruar: “Është një sulmues i madh dhe i fortë, dhe me një nuhatje të mirë për golin. Jemi absolutisht shumë të lumtur që Guri zgjodhi ekipin tonë. E donim patjetër, pasi e kishim parë disa herë në veprim. Jam i bindur se futbolli belg është i përshtatshëm për një lojtar si ai”. I kënaqur me transferimin e 24-vjeçarit është edhe presidenti I Oostende Peter Kalant: “Ai ka shumë ego të tregojë veten në një arenë të huaj. Mbi të gjitha është një lojtar me ADN-në që na duhet neveL i ri, me ambicie dhe me dëshirë për të mësuar”.