Guri shënon golin e parë me Oostenden, Sadiku dëmtohet në miqësore

Sport

Sidrit Guri

Aventura e Armando Sadikut tek Levante vazhdon të jetë e pafat. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka pësuar një dëmtim të rëndë në miqësoren që skuadra spanjolle fitoi 3-1 përballë Heerenveen. 27-vjeçari u fut në lojë në fillimin e pjesës së dytë, por u detyrua të braktiste fushën që në minutën e 70. Dëmtimi i tij shqetëson edhe trajnerin e kombëtares Christian Panucci, i cili do të grumbullojë skuadrën në fillim e shtatorit.
Por nga Belgjika lajmet janë të shkëlqyera për kuqezinjtë. Sidrit Guri ka shënuar golin e tij të parë me Oostenden, në sfidën që skuadra e tij në fakt e humbi 5-2 përballë Anderlechtit. Sulmuesi shkodran bëri një paraqitje mjaft të mirë në këtë takim duke rikuperuar disa topa për skuadrën, ndërkohë që goli i tij në Belgjikë u quajt një bukuri më vete. Me gjakftohtësinë e një sulmuesi me eksperiencë, Guri goditi me finte një top të pasuar në qendër nga Capon, duke shkurtuar përkohësisht rezultatin në 2-1. Për 24-vjeçarin, kjo paraqitje e mirë pason atë të ndeshjes së parë të kampionatit belg, ku ishte protagonist në fitoren e skuadrës së tij me një asist. Sinjale të qarta këto për Panuccin, se kombëtarja mund të ketë fituar një bomber të ri.
Mbetet në hije ndërkohë aventura e Kristal Abazaj me Anderlechtin, i cili edhe në këtë takim nuk ishte i ftuar as në stolin e gjigandëve belg dhe shtyn kështu edhe debutimin e tij me 34 herë kampionët e Belgjikës.