Sindrit Guri mbyll me gol këtë sezon të tij të parë shumë të komplikuar në Belgjikë, duke u kthyer të rigjejë rrugën e rrjetës pas gati 3 muajve. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ka përjetuar një vit jo në lartësinë e duhur në radhët e Ostende, por të paktën ka arritur ta mbyllë me një sinjal pozitiv për të, duke gjetur rrugën e rrjetës në ndeshjen e fundit të sezonit. Në ndeshjen kundër St. Truiden, sulmuesi shkodran u aktivizua si titullar në qendër të repartit të avancuar, duke arritur të shfaqë aftësitë e tij para portës, teksa në minutën e 37-të shfrytëzoi një pasim perfekt për të shënuar golin e avanatzhit për skuadrën e tij me një goditje të saktë me të djathtën pas një kundërzbritje të shpejtë, kur u gjend vetëm për vetëm me portierin kundërshtar
Për Gurin, ky ishte goli i tretë sezonal me fanellën e Ostende, teksa nuk shënonte që nga 23 shkurti, pasi po vuan shumë përshtatjen në një kampionat shumë më të fortë se Superliga. Gjithsesi ka arritur të luajë 24 ndeshje me klubin belg, tek i cili u transferua në verën e kaluar nga radhët e Kukësit. Pas një periudhe jo të mirë mund të thuhet se Guri është rikthyer me gol, duke dhënë një sinjal pozitiv edhe për trajnerin Reja në prag të ndeshjeve të Kombëtares.
Për fatin e keq të sulmuesit, goli i realizuar të mërkurën nuk mjaftoi për t’i dhënë suksesin skuadrës së tij pasi ai u zëvendësua në minutën e 90, ndërsa St. Truiden barazoi shifrat e rezultatin në 1-1 kur regjistrohej minuta e 92-të e sfidës.