Disi befasuese ishte lënia jashtë e Sindrit Guri, nga ana e trajnerit Christian Panuçi për ndeshjet e tetorit. Gjithsesi, kjo duket një zgjedhje e logjikshme, pasi sulmuesi shqiptar i Oostende, nuk është në formë të mirë dhe së fundi ka kaluar një periudhë disi të vuajtur në Belgjikë. Fillimisht, ish-bomberi i Korabit dhe Kukësit e filloi si titullar aventurën e re në Jupiler League, por me kalimin e kohës nisi të hyjë në fushë në ndeshje e sipër, nga pankina. Për më tepër, gjatë javëve të fundit, Oostende u detyrua të ndryshojë edhe modulin, me të cilin ka vendosur skuadrën në fushë. Në të kaluarën, trajneri Veryhen ka luajtur me dy ose tre sulmues, ndërsa së fundi ka përdorur vetëm një të tillë.
I pyetur në lidhje me këtë ndryshim moduli, vetë tekniku i Ostendes është përgjigjur se kjo ka ndodhur thjesht për arsye se “nuk i kam dy sulmues të mirë, më nevojiten lojtarë që të shënojnë më shumë”. Faktikisht, kjo ka tingëlluar si një kritikë e drejtpërdrejtë për futbollistët e sulmit dhe natyrisht edhe për Sindrit Gurin. Ai, në një situatë të tillë duhet të ndryshojë sa më shpejt diçka tek vetja, përpara se të jetë shumë vonë. Ndërkohë që lajmi i fundit është se Oostende, e zhgënjyer nga efektiviteti i deritanishëm sulmues, me shumë mundësi do të kërkojë një përforcim të ri në janar pikërisht për repartin e avancuar. Prandaj, Guri ka të paktën tre muaj kohë, për të bërë që drejtuesit të ndryshojnë mendje e të vijojnë të besojnë tek ai.