Manchester City ka kaluar provën më të vështirë të këtij fund-sezoni në ‘Premier League’, teksa fitoi 2-0 derbin përballë Manchester United. Edhe pse luhej në ‘Old Trafford’, ‘citizens’ dominuan gjatë gjithë takimit, duke vënë në dukje edhe diferencat në cilësi me rivalët e ‘djajve të kuq’. Të besuarit e Ole Gunnar Solskjaer nga ana tjetër vrapuan më shumë se kundërshtari dhe u përpoqën të jepnin maksimumin, si një përgjigje për atë humbje turpëruese 4-0 në fundjavë ndaj Everton. Por pavarësisht të gjitha përpjekjeve, për Manchester United ishte e pamundur që t’i jepnin një tjetër drejtim luftës për titullin kampion. ‘Djajtë e kuq’ rezistuan në pjesën e parë ndaj goditjeve të rivalëe të qytetit, por në fillimin e fraksionit të dytë të lojës, Bernardo Silva dhe Leroy Sane do t’ja dilnin të mposhtnin portierin David de Gea.
Një fitore e rëndësishme kjo për Pep Guardiolan, që tashmë është shumë pranë rikonfirmimit si kampion i Anglisë. Tek United ndërkohë gjërat komplikohen vërtet shumë sa i përket objektivit ‘Champions League’. ‘Djajtë e kuq’ mund të ngushëllohen disi me humbjen 3-1 të Arsenal ndaj Wolverhampton, ndërkohë vendi i katërt për momentin mbahet nga Chelsea i Sarrit. Në fund të derbit, trajneri Solskjaer u shfaq i dorëzuar përpara skuadrës së Guardiolës, duke pranuar fjalët e thëna nga ish-lojtari i kësaj skuadre, Roy Keane se United është për momentin shumë larg skuadrave të nivelit të Manchester City.