Guardiola “qan” mungesat, por pret reagimin e skuadrës së tij pas kritikave

Sport

Josep Guardiola, trajneri i Manchester City: “Kemi ardhur vërtet shumë herë këtu. Do të jetë një ndeshje interesante. Kemi disa mungesa të rëndësishme. John Stones pati një problem muskular dhe kemi në dispozicion vetëm 1 qendërmbrojtës. Por nuk kemi ndërmend të ankohemi për këtë pjesë. Skuadra është kritikuar shumë së fundmi, por kjo vjen për shkak të pritshmërive që kanë njerëzit. Unë jam përpjekur të largoj presionin ndaj lojtarëve të mi dhe pres prej tyre një reagim të shkëlqyer. Si unë, edhe lojtarët e mi duhet të tregojmë veten dhe nëse e nisim me një rezultat të mirë, do të kishim qetësinë për të punuar rreth problemeve që na duhet të zgjidhim. Është e rëndësishme të ruajmë qetësinë dhe të mbetemi të përqëndruar tek ndeshja jonë. Personalisht, nuk e njoh trajnerin kundërshtar dhe kjo mund të na i vështirësojë jo pak gjërat.”

Oleksandr Zinchenko, mesfushor i Manchester City: “Kjo është hera e tretë që përballemi me ta dhe e njohim mjaft mirë qytetin, aq sa disa nga ne po mendojnë të blejnë edhe shtëpi këtu. E respektojmë Shakhtarin dhe e dimë se si mund të luajnë. Ne dëshirojmë vetëm të zbresim në fushë dhe të bëjmë lojën tonë më të mirë. Njerëzit e shohin shumë të lehtë, por në fakt nuk është aspak e tillë. Njësoj si ne i njohim, edhe ata i dinë pikat tona të dobëta, prandaj do të jetë më e vështirë se sa duket.”