Guardiola nuk mendon për rotacion para sfidës me Liverpool

Sport

Manchester City arriti një fitore të vështirë me përmbysje ndaj Southampton, sfidë që u vendos nga golat e Sergio Agueros dhe Kyle Walker. Java e ardhshme në ‘Premier League’ do të sjellë një përballje shumë të rëndësishme për të besuarit e Pep Guardiolas, që do të kenë ndeshjen e parë direkte me rivalët kryesorë për titullin kampion, Liverpool. Guardiola është shprehur se skuadra e tij do të përgatitet në maksimum për këtë sfidë mjaft të rëndësishme, por ai nuk ka ndërmend të bëjë rotacione apo ndryshime të shumta të skuadrës gjatë mesjavës, kur Manchester City përballet me Atalantan në ‘Champions League’.

Në sfidën ndaj italianëve, tekniku katalanas nuk do të ketë mundësinë të aktivizojë lojtarë si Leroy Sane, Aymeric Laporte, Oleksandr Zinchenko dhe Rodi, të cilët janë të dëmtuar. Kësaj liste i bashkohet edhe spanjolli David Silva, që pësoi një tërheqje muskulore në sfidën ndaj Southampton dhe Phil Foden i pezulluar me kartona. Pavarësisht këtyre problemeve, Guardiola tha se të tilla gjëra nuk mund të shërbejnë si justifikime dhe se nuk ka ndërmend të lërë pushim lojtarët kryesorë që ka në dispozicion, pavarësisht se në fundjavë e pret një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni. Liverpooli ende nuk ka pësuar asnjë humbje në kampionat dhe në ‘Anfield’, Guardiolan dhe skuadrën e tij e pret një detyrë e vështirë. Trajneri i Manchester City u ngacmua nga gazetarët edhe për rekordin e Liverpool në ‘Anfield’ ku qëndrojnë prej shumë kohësh të pathyeshëm. Por tekniku i ‘citizens’ u përgjigj qetësisht se skuadra e tij është e ndërgjegjshme për cilësinë e kundërshtarit, por në fushën e tyre do të zbresin vetëm për të marrë një fitore.