Në harkun e 4 ditëve, Manchester City e dha 2 shuplaka të njëpasnjëshme Chelsea. Fillimisht në kampionat, dhe së fundmi në raundin e 1/16-tave në FA, duke fituar me rezultatin e thellë 4-0. Si pasojë e këtyre rezultateve, që për Chelsean sa vijnë e bëhen më negative, Graham Potter, trajneri i Bluve të Londrës është vënë me shpatulla pas murit. Ekipi londinez ka pësuar 6 humbje në 8 takimet e fundit dhe e gjithë kjo përgjegjësi i faturohet numrit një të pankinës, Potter.
Në kushte si këto, është e qartë se në qiellin e “Stamford Bridge” kanë nisur të duken re të zeza dhe stoli i Potter është në rrezik.
Megjithatë, i pyetur rreth kësaj situate, Pep Guardiola ka tjetër mendim. Takticieni spanjoll, është i bindur se Potter është trajneri i duhur për Chelsean, por ai ka nevojë për kohë, në mënyrë që skuadra të përthithë plotësisht idetë e tij.
“Potter ka nevojë për kohë. E di se kur drejton klube të mëdha, rezultatet janë shumë të rëndësishme, por unë mendoj se Potter ka nevojë për kohë. Ajo se çka ai bëri kur ishte në krye të Brighton është e jashtëzakonshme, por të gjithë trajnerët kanë nevojë për kohë”.
Më tej, Pep është rikthyer pas në kohë, duke treguar përse ai nuk pati nevojë për kohë në momentin kur ishte trajner i Barcelonës, por epoka e tij rezultoi menjëherë e suksesshme: “Kur drejtoja Barcelonën, unë nuk e pata të nevojshme të kem shumë kohë, sepse atje kisha Messin”, janë fjalët e teknikut Guardiola.