Guardiola-Klopp, “armiqtë” bien në një mendje

Sport

Më 4 gusht, Pep Guardiola dhe Jurgen Klopp do të jenë menjëherë kundërshtarë me njëri-tjetrin, për ndeshjen e vlefshme për Superkupën e Anglisë. Mirëpo, dy rivalët duket se janë në një mendje, në lidhje me faktin që po luhen shumë ndeshje futbolli. Aq sa lojtarët rrezikojnë të jenë të cfilitur në maksimum. Pas deklaratave të bëra nga trajneri i Liverpulit gjatë ditëve të kaluara, tashmë është edhe kolegu i City-t që ka lëshuar alarmin sa i takon kalendarit të ngjeshur: “Kur bëhemi gati të nisim sezonin e ri, Riyad Mahrez sapo ka përfunduar atë të kaluarin. Me të vërtet që është një kalendar i cmendur, aq sa herët a vonë mund të rrezikojmë të vrasim lojtarët tanë. Nuk mund të vazhdohet dot shumë gjatë në këtë mënyrë”, u shpreh Guardiola, i cili ndër të tjera pranoi se ikja e Sane’ do ta trishtonte shumë.


Manchester Siti ka luajtur 3 ndeshje të turit të tij aziatik, ndërkohë që në miqësoren e fundit fitoi 6-1 ndaj Hong Kong Kitchi. Kjo fazë përgatitore është përballuar pa disa nga yjet e rëndësishëm, të impenjuar në Kupën e Amerikës, apo në atë të Afrikës. Veç Mahrez, edhe Gabriel Jesus, Aguero, Ederson, Otamendi e Fernardinho e mbyllën sezonin vetëm përpara pak javësh. “Disa do të vijnë në fundin e korrikut, kurse të tjerët më 3 apo 4 gusht. U kam dhënë atyre kohë të mjaftueshme për t’u relaksuar, sepse nuk dua që të kthehen të lodhur, apo ende të parikuperuar pas një sezoni të vështirë”, ka përfunduar spanjolli. Premier League starton më 10 gusht, por nuk dihet sesa prej këtyre lojtarëve të impenjuar deri në korrik me përfaqësueset, do të kenë mundësinë të jenë në fushë për nisjen e kampionatit anglez.