Guardiola kërkon fitoren e parë në Champions për të vazhduar ecurinë pozitive të kampionatit

Sport

guardiola ucl

Java e së vërtetës, java e krejt sezonit! Kështu mund të cilësohen dy ndeshjet e radhës të Manchester City-it të Pep Guardiolës. Blutë fituan ndeshjen e fundit në Premier League kundër Brightonit me rezultatin 2-0. Sterling dhe Aguero i dhanë pikët e radhës skuadrës së Guardolës që përvec një barazimi me Wolverhampton në fund të gushtit, nuk ka lëshuar asnjëherë pikë në kampionat. 21 gola të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar janë treguesit se kjo skuadër po ecën me të njëjtat ritme në ishull, të paktën aty, sepse në Champions League përballja me Lyonin ishte një katrahurë e vërtetë. Plot gafa dhe aspak përqendrim. 23 raste dhe vetëm 1 gol i shënuar. Pikërisht në prag të rikthimit në Champions League për t’u përballur në një ndeshje tjetër delikate.

Pep Guardiola

Pep Guardiola ka kërkuar përqendrim maksimal, sidomos nga Leroy Sane, i gjendur në mjaft presione mediatike këtë sezon. Hoffenheim është rivali i radhës në Grupin F që e sheh City-in të fundit pa pikë, pas Shakhtarit. Fitorja është objektivi kryesor, por debutuesit gjerman dinë të jenë të paparashikueshëm, sikurse e treguan në Ukrainë. Guardiola mbetet ende pa shërbimet e De Bruyne, por ka rigjetur formën e Agueros dhe Sterlingut dhe pikërisht këta të dy japin shpresë për rezultate. Sidoqoftë vëmendja shkon përtej ndeshjes së mesjavës. Më 7 tetor, City pret në shtëpi Liverpoolin në një ndeshje që mund të diktojë kreun e Premier-League-ës. Të dyja skuadrat kanë nga 19 pikë prandaj Guardiola duhet t’i bëjë mirë llogaritë, pasi një hap i gabuar që në Champions do t’ia shtonte presionet grupit për në fundjavë.