Pep Guardiola është absolutisht një nga trajneët më të mirë në botë dhe jo pak skuadra dëshirojnë ta kenë në kryes të stolit. Trajneri i Manchester City ka zbuluar në një intervistë se dëshiron shumë që përpara se të largohet nga futbolli, të drejtojë edhe njëherë ekipin e të rinjve tek Barcelona. 47-vjeçari nisi karrierën si trajner pikërisht duke drejtuar Barcelonën B në vitin 2007, përpara se të bëhej trajner i skuadrës së parë katalanase një vit më vonë, pas largimit të Frank Rijkaard. Me blaugranat, Guardiola fitoi tre tituj në La Liga, dy në Champions League dhe dy në botërorin e klubeve në katër vite të jashtëzakonshme, para se të arrinte nivele të ngjashme të suksesit me Bayern Munich.
Tani, në sezonin e tij të tretë me Manchester City, ai shpreson të mbrojë titullin e Premier League, që e fitoi sezonin e kaluar me një rekord prej 100 pikësh. Guardiola ka mohuar largimin nga Anglia për momentin, por ai shpreson ta përfundojë karrierën e tij në të njëjtin vend, ku e ka filluar. “Unë do ta përfundoj karrierën si trajner aty ku e kam filluar. Hapat e mi përfundimtarë do të jenë me ekipet e të rinjve. Dëshrioj dhe shpresoj shumë se do të jetë Barça”. Guardiola e ka përjashtuar më parë kthimin në “Camp Nou”, por ka qenë i lidhur edhe me një kthim të mundshëm si drejtor sportiv. Kontrata e tij me Manchester City përfundon në fund të sezonit 2020-2021. Deri më tani, ‘citizens’ ka marrë 10 nga 12 pikë të mundshme në fillimin e sezonit të Premier League.