Guardiola flet për Messin dhe triumfet e arritura me Barcelonën

Sport

Ajo që Pep Guardiola arriti me Barcelonën konsiderohet si një nga sukseset më të mëdha të futbollit modern. Trajneri katalanas, i cili aktualisht është në krye të Manchester City, gjithmonë e ka pranuar se fakti që pati mundësinë të punojë tek ‘blaugranat’ e ka ndihmuar jo pak në karrierën e tij. Por së fundmi, Guardiola ka folur rreth Messit dhe disa prapaskenave në momentin që ai sapo kishte marrë drejtimin e Barcelonës. Tekniku u shpreh se kishte dëgjuar nga disa persona në brendësi të klubit se pjesë e ekipit ishte edhe një lojtar i ri, shumë i talentuar dhe që shënonte gola thuajse çdo ndeshje.
“Nuk e njihja Messin. Për herë të parë e kam takuar në një dyqan të njohur të rrobave, së bashku me babain e tij. Dukej shumë i vogël dhe i ndrojtur.”


Por Guardiola thotë se në momentin e parë që ai e pa në fushë, është mahnitur nga talenti argjentinas. Që në seancën e parë stërvitore, tekniku katalanas thotë se e kuptoi që ato që thuheshin për Messin ishin të vërteta. Sigurisht, gjëja e parë që i shkoi në mendje, ishte fakti se me aftësitë e atij djaloshi, Barcelona mund të fitonte gjithçka. Messi ishte nga ata që përkushtohej më shumë në stërvitje, madje Guardiola thotë se argjentinasi e merrte seancën stërvitore po aq seriozisht sa një ndeshje, derisa vetë tekniku i kërkoi të ulte ritmin. 48-vjeçari gjithmonë e ka pranuar se prezenca e Lionel Messit ka qenë thelbësore në sukseset e tij tek Barcelona dhe shton se ndihet krenar që ka patur mundësinë të punojë me një lojtar që ai e konsideron absolutisht më të mirin.