Guardiola fiton trofeun e 25 në karrierë, të katërtin me City-in!

Sport

guardiola liver
Luajti ndeshjen më të dobët të këtij sezoni në Angli, pati vështirësi të jashtëzakonshme taktike, madje nga shumë media u cilësua e padenjë për të fituar ashtu si fitoi, por Manchester City-i i Pep Guardiolës arriti të dielën të çojë lart trofeun e parë sezonal. Një nga katër objektivat e mundshëm u arrit përballë Chelsea-it në finalen e Kupës së Ligës së Anglisë. Në një ndeshje goxha të mbyllur ku goditja e parë drejt portës u regjistrua në minutën e 43-të, Chelsea-Manchester City ishte krejt ndryshe nga ajo ndeshje e fituar me shifrat tenistike 6-0. 90-të minutat i lanë vend pjesëve shtesë dhe sërish edhe aty nuk pati gol në Wembley.

guardiola barca

Pas shtesave në penallti Ederson Moraes priti goditjen e Jorghinhos, ndërsa David Luiz gjeti shtyllën. Manchester City iu gëzua kështu trofeut të 6-të në histori për sa i përket Kupave të Ligës, vetëm Liverpooli, me 8-të, ka më shumë se ata. Ndërkohë interesante ishte se kjo finale ishte e para që u mbyll pa gola që prej vitit 2009-të. Nga ana tjetër, edhe pse pati një fitore 6-0, dy rastet e vetme në të cilat City nuk ka mundur të shënojë gol këtë sezon, kanë ardhur pikërisht në sfidat ndaj Chelsea-it. Për Guardiolën ky ishte trofeu i 25-të në karrierë, i katërti me City-in. Si fillim trajneri katalan u shfaq i shqetësuar nga lëndimet e Fernandinhos dhe Aymeric Laporte, por u shpreh i kënaqur nga fakti se City mbetet në lojë edhe për 3 trofe të tjerë, ku sigurisht më të rëndësishmit janë Champions League-a dhe kampionati.