Pep Guardiola u bë në fundjavë trajneri i parë në Angli që arrinë të fitojë tre trofetë e mundshëm të futbollit vendas, kampionat, Kupë Federate dhe Kupë Lige. Manchester City shkatërroi plotësisht ëatfordin me shifrat 6-0. The Cityzens shfrynë kështu kritikat për një tjetër sezon zhgënjyes në Champions League. Në Angli kanë pasur plot konkurrencë këtë sezon me Liverpoolin që i ndoqi deri në fund me 97 pikë, 1 më pak se ata. Por përtej entuziazmit dhe suksesit, Pep Guardiola ka treguar një tjetër aspekt të modestisë së tij duke pranuar se vetëm kur Manchester City të fitojë Champions League-ën atëherë puna e tij do të jetë përfundimisht e gjykueshme si sukses.
Trajneri katalan u shpreh për gazetarët se ishte i vetëdijshëm që në fillim të sezonit se gjithçka që ai dhe skuadra e tij mund të bënin do të varej nga ecuria në Evropë. “Kjo mbetet te unë, e di këtë, kur vajta te Barcelona isha me fat që fituam dy herë në katër vite dhe të gjithë prisnin nga unë sikur të isha dikush special që duhej ta fitoja patjetër Champions League-ën dhe realisht kjo është e vërtetë ne duhet ta fitojmë atë për ta konsideruar special cilindo sezon që do të kemi” – tha Guardiola. City ka fituar 4 kampionate, 2 kupa Federate dhe 4 kupa të Ligës që kur klubin e mori nën zotërim Sheikhu Mansour në vitin 2008, por në Champions League ecuria e tyre më e suksesshme mbetet ajo me Manuel Pellegrinin, që i çoi ata deri në gjysmë-finale në sezonin 2015-2016.