Me të në drejtim tifozët e Manchester City-it ëndrrojnë që skuadra e tyre të triumfojë jo vetëm në Angli por edhe në Europë, por Pep Guardiola e ka mëse të qartë se misioni për të fituar tituj me Citiziens nuk do të jetë aspak i thjeshtë për të. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj Borussias së Dortmundit e vlefshme për turneun veror International Champions Cup, trajneri spanjoll foli për aventurën e tij të deritanishme te Manchester City. Guardiola edhe pse u shpreh optimist nënvizoi se në Angli ka shumë skuadra të forta dhe për të nuk do të jetë e lehtë të fitojë trofe menjëherë edhe pse katalanasi shpreson shumë që në vitet në vazhdim Manchester City të arrijë shumë suksese me të në drejtim.
Përsa i përket takimit ndaj Borussias së Dortmundit Pep tha se i njeh mirë verdhezinjtë pasi gjatë aventurës së tij të Bayerni është përballur në shumë raste me këtë skuadër. “Ata kanë një skuadër shumë të fortë, për të marë një rezultat të mirë ndaj tyre ne duhet të vrapojmë të luftojmë, të driblojmë kundërshtarët dhe të kemi kontrollin e topit, theksoi në fjalën e tij trajneri 45-vjecar. Më tej Guardiola thuri elozhe për futbollistët e tij ndërsa u shpreh shumë i lumtur që skuadra e tij do të zbresë sërish në fushë, pas sfidës së anulluar ndaj Manchester United për shkak të kushteve të motit.