Skuadra e Manchester City pësoi humbjen e dytë të sezonit në ‘Premier League’, pasi u mposht në shtëpi 2-0 nga Wolverhampton. Adama Traore ishte njeriu që ndëshkoi dy herë kampionët në fuqi në ishull, duke i dhënë një goditje të fortë ‘citizens’ sa i përket duelit në distancë me Liverpool.
‘Të kuqtë’ e drejtuar nga Jurgen Klopp i kanë fituar të 8-a ndeshjet e para në kampionat, duke grumbulluar 24 pikë të plota. Ndërsa pas humbjes me Wolves, distanca me Manchester City është rritur në 8 pikë. Megjithatë, trajneri katalanas i ‘citizens’ nuk ka ndërmend të dorëzohet. Pep Guardiola u shpreh i bindur se skuadra e tij mund të arrijë Liverpool-in në krye të renditjes.
Guardiola nuk i kurseu elozhet për skuadrën e Klopp, duke thënë se avantazhi që kanë për momentin ne renditje është krejtësisht i merituar, por megjithatë, për teknikun katalanas sezoni është ende shumë i gjatë. Në ‘Champions League’, Liverpool-i ka treguar se është e cënueshme, teksa në jo pak raste, ‘the reds’ kanë patur edhe fatin në anën e tyre.
Të shumtë janë ata që kujtojnë edhe situatën e sezonit të kaluar, kur te besuarit e Klopp kishin një avantazh prej 7 pikësh, në gjysmën e dytë të sezonit, por Manchester City ia doli të përmbyste situatën, duke u konfirmuar si skuadra kampione e Anglisë.