Guardiola bëhet ai që ka thyer më shumë “Mbretërit”!

Sport

Pep Guardiola me Man.Cityn mori të mërkurën një sukses me shije të veçantë në Bernabeu ndaj Real Madridit. Ish-trajneri dhe lojtari i Barcelonës u bë trajneri, i cili në shekullin e 21-të i ka thyer më shumë “Los Blancos”: plot 10 herë, duke lënë prapa kështu kolegët Ernesto Valverde dhe Diego Simeone, të cilët e ndjekin tashmë me 9 fitore në sfidat kundër Realit. Trajneri katalanas fitoi për herë të gjashtë brenda në Bernabeu, ku ka humbur 1 herë dhe barazuar 2 të tjera. Një rekord i vërtetë, që e konfirmon si pjesë të olimpit të trajnerëve.
Sidoqoftë, vetë Guardiola në intervistat pas ndeshjes, si gjithmonë ka dashur t’i japë më tepër meritat skuadrës që drejton. E në rastin konkret, Manchester City-t. “Rëndësi ka mënyra se si u sollëm në fushën e lojës, në këtë stadium ku është gjithmonë e vështirë të fitohet. Besoj se na u shpërblye i gjithë mundi, duke pasur parasysh atë që treguam. Në fakt mund të them se kur ishim në momentin më të mirë ne pësuam gol, të cilin nuk duhej ta kishim pësuar, dhe kur ata ishin më mirë ne i shënuam gol. Ky është futbolli. Duhet të përmirësohemi në mënyrë që të mos u dhurojmë golin si ai që pësuam. Padyshim është një rezultat i mirë. Sigurisht jam shumë krenar, por hodhëm vetëm hapin e parë. Dhe nëse ka një skuadër që mund të përmbysë situatën, është pikërisht Reali i Madridit. Prandaj nuk ka mbaruar asgjë”, deklaroi trajneri i Manchester Cityt.