Pak përpara shortit, tek Zeniti thonin me të qeshur se ishin skuadra më e kërkuar nga rivalët. Në fakt kjo ishte e vërtetë, por ndoshta drejtuesit rusë nuk e kishin menduar se do të kishin një grup kaq të fortë e të paparashikueshëm. Grupi G përbëhet nga Zeniti, Benfica, Lyon dhe Leipzig. Të gjitha skuadrat kanë pretendimet e tyre, për të mos thënë që secila kërkon të kualifikohet për më tej. Benfica nuk ka forcën e fundit të sezonit që shkoi dhe ‘shqiponjat’ mund të jetë të cënueshme në sfidat e nxehta të grupit G. Lyoni kërkon të përsërisë suksesin e sezonit që shkoi dhe të kualifikohet sërish për në raundin tjetër, që për Leipzig mbetet një ëndërr e parealizuar më parë. Tek Benfica gjithësesi besojnë shumë dhe kjo u pa edhe nga reagimi i përfaqësuesit të klubit, Luisao:
“Është një grup i balancuar, me skuadra shumë të mira. Niveli i vështirësisë është më i madh se sa duket, por ambicia jonë ëshë gjithmonë që të vazhdojmë për në fazën tjetër”.
Tek Zeniti premtimi vjen nga blerja e re e kësaj vere, Malcom, i cili siguroi se do të shënojë e do të jetë vendimtar kundër Lyon-it, duke kujtuar përballjet me francezët në kohën kur aktivizohej tek Bordeaux. Tek Lyon-i nuk janë vonuar të përgjigjen, duke thënë se vetëm fusha do e tregojë se cila skuadër është më e fortë. Gjithashtu, presidenti Aulas beson shumë tek grupi aktual i lojtarëve dhe pranoi se shorti evitoi më të keqen për ta. Kjo sipas tij i jep ‘shtysë’ skuadrës për të guxuar dhe për të arritur sërish tek faza me eleminim direkt.