Në ndeshjen e parë të Grupit E në Champions League, Monaco shënoi një fitore të rëndësishme në transfertën me Tottenham. Bardhekuqtë e Leonardo Jardim arritën t’i mposhtin 2-1 Spurs-at në Wambley. Ndeshja u zhbllokua që në minutën e 15-të, kur Bernardo Silva kaloi në avantazh skuadrën nga Principata me një gol të shkëlqyer. Portugezi mposhti portierin Lloris duke goditur me të majtën mes tre lojtarësh të Tottenhamit. Ende pa e marrë mirë veten nga ky gol, Spurs-at u goditën sërish pas 15 minutash lojë. Në të 31-ën, Lemar goditi dhunshëm portën e tyre duke gjetur golin e dytë. Për londinezët shifrat i shkurtoi belgu Alderweireld me një gol me kokë, por Tottenham nuk shkoi dot më shumë se kaq, kjo për meritë edhe të portierit Subasic, i cili neutralizoi cdo rast të tyre. Në ndeshjen tjetër të grupit, Bayer Leverskusen u barazua 2-2 nga CSKA-ja e Moskës. Për gjermanët, Admir Mehmedi zhbllokoi rezultatin që në minutën e 9-të. Fillë pas tij shënoi edhe turku Calhanoglu duke dhënë idenë se gjërat do të ishin të lehta për ta, por nuk rezultoi kështu, pasi rusët reaguan mirë. Në fakt barazimin ata e gjetën brenda pjesës së parë. Dzagoev në të 36-ën dhe Eremenko në të 38-ën rikthyen ekuilibrat. Me këtë rezultat grupi E kryesohet nga Monaco, pas tyre vijnë Bayer, CSKA dhe Tottenham.