Grupi E, Klopp ‘i bezdisur’ nga Napoli, Genk e Salzburg nuk përbëjnë problem

Sport

“Napoli, përsëri! Nuk e di se sa herë jam ndeshur me Napolin, por është e qartë që ata kanë mjaft eksperiencë.” Me këto fjalë e nisi reagimin e tij Jurgen Klopp, pasi mësoi se Liverpooli do të ishte sërish në të njëjtin grup me Napolin e Carlo Ancelottit. Sipas teknikut të kampionëve të Europës në fuqi, skuadra e tij ka shanse të mira për të vazhduar më tej, por ‘the reds’ nuk duhet të përfshihen nga euforia. Vendi i parë mund të kërcënohet ndjeshëm nga Napoli, që sezonin e shkuar ishte thjesht e pafat në eleminimin e saj. Kësaj radhe, vështirë se napoletanët do ta lëshojnë aq kollaj mundësinë e tyre. Genk e Salzburg me gjasa do të luftojnë me njëra-tjetrën për vendin e tretë, me austriakët që shihen si favoritë ndaj kampionëve të Belgjikës.

Me dy skuadrat në fjalë, Klopp do të ndeshet për herë të parë, por kërkon kujdes nga lojtarët e tij pasi gjermani nuk dëshiron të përsëriten gabimet e së shkuarës, si ndaj Crvena Zvezda-s. Ancelotti mezi e pret ripërballjen me Liverpool pasi e di që skuadra e tij ka më shumë eksperiencë dhe arritja e rezultateve pozitive ndaj kampionëve në fuqi, do të ishte absolutisht një marsh më shumë për të kaltrit nga Napoli. Sezonin që kaloi, ‘the reds’ kishin nevojë për një super Alison Becker që të rezistonin ndaj napoletanëve, por këtë vit forca sulmuese e skuadrës italiane është e një tjetër niveli. Hapat fals ndaj Genk dhe Salzburg do të kishin një impakt të madh në renditjen e grupit, prandaj si Klopp, edhe Ancelotti, duhet të punojnë me kujdes.