Pas sfidës së vitit të kaluar në 1/8-at e finaleve, Juventus e Atletico e Madridit do të ndeshen sërish me njëri-tjetrin, por kësaj radhe në fazën e grupeve, pasi shorti i së enjtes i vendosi në grupin D, bashkë me Bajer Leverkusen dhe Lokomotivën e Moskës. Mbi përballjen e shumëpritur, që do të jetë një nga ato që do të hapë fazën e grupeve më 18 shtator, ka folur Cristiano Ronaldo. Kampioni portugez i Juventusit shpreson sidomos në një pritje ndryshe nga ajo e ndeshjes së edicionit të kaluar në “Uanda Metropolitano”, ku për më tepër Juventusi humbi 2-0. “Atletico mbetet një skuadër e fortë, me një trajner të madh. I njoh mirë, pasi i kam sfiduar pwr disa vite me radhw te Reali. Unë shpresoj vetëm që në ndeshjen e parë në Spanjë, tifozët të mos provokojnë me kore antisportive. Gjithsesi, pres të jetë një sfidë tepër e luftuar”, u shpreh fillimisht. Ronaldo është përqendruar edhe tek objektivi i Juventusit për të fituar më në fund trofeun e Champions League, pas disa vitesh dështimi në përpjekjet e bëra. “Të gjitha skuadrat janë përforcuar këtë sezon. Por shpresoj që në fund të fitojë Juventusi. Megjithëse bëhet fjalë për një kompeticion që është më i vështiri për t’u fituar. Vitin e kaluar, Barcelona dukej favorite ndaj Liverpulit, kurse ne ndaj Ajaksit. Por e pamë se cfarë ndodhi. Sidoqoftë unë jam tepër entuziast dhe shpresoj të jetë viti jonë”, ka përfunduar portugezi, i cili doli pa asnjë vlerësim nga ceremonia e dhënies së cmimeve të UEFA-s. Por gjithsesi, këtë herë ishte i pranishëm në sallë, ndryshe nga sa ndodhi një vit më parë.
Sa i takon Atleticos, për skuadrën e Simeones, që është përforcuar së tepërmi gjatë verës, mund tw thuhet se vjen menjëherë shansi i revanshit për atë eleminim të pësuar përballë Juventusit gjatë sezonit të kaluar të Champions League. Megjithëse këtë herë në lojë do të jetë thjesht vendi i parë në grup, gjë për të cilën duhen bërë llogaritë edhe me Leverkusen dhe Lokomotivën e Moskës.