Grupi C/ Real Madrid pret biletën, Napoli ngec në shtëpi

Sport

Real Madrid është bërë një prej 6 skuadrave të kaulifikuara në raundin e 1/8-tave të UEFA Champions League. Bashkë me Bayern Munich, Inter, Real Sociedad, Manchester City, dhe Leipzig. Në javën e katërt të Grupit C, Los Blancos triumfuan në shtëpi me rezultatin 3-0 përballë skuadrës së Bragas.

Në fakt, do të ishin miqtë ata që do të kishin mundësinë për të kaluar të parët në epërsi me anë të një penalltie, por Alvaro Djalo u ndal nga portieri Andrey Lunin në minutën e 6-të. Ukrainasi ka një statistikë me të vërtetë interesante, sepse, duke nisur që nga sezoni 2018/19-të, ka pritur 7 nga 14 penalltitë që kanë ardhur në drejtim të tij. Sfida u zhbllokua në të 26-tën nga të zotët e shtëpisë dhe autori i golit ishte Brahim Diaz. Në dy ndeshjet e fundit që e ka nisur titullar me fanellën e bardhë, Diaz ia ka dalë të shënojë po kaq gola, teksa në 6 takimet e mëparshme kishte realizuar vetëm një herë.

Për t’u rikthyer tek sfida, goli i dytë do të shënohej nga Vinicius Junior, në mintuën e 58-të. Përgjatë vitit 2023, braziliani është lojtari i parë në 5 ligat kryesore të Europës që zotëron numra dyshifrorë në gola dhe asist, 17 finalizime dhe 17 pasime vendimtare.

Nga një moment i tillë do të kalonin vetëm 180 sekonda, kur të tretin e sfidës do ta shënonte bashkëkombasi i tij, Rodrygo, që ishte edhe njeriu asist në golin e parë. Të dy së bashku, Vinicius dhe Rodrygo, për herë të parë, kanë shënuar dhe asistuar brenda një ndeshje me fanellën e Real Madrid.

Champions League mund të konsiderohet edhe kompeticioni i preferuar i Rodrygos, sepse në 43 ndeshje ka shënuar 17 gola. Të njëjtë kuotë golash ai e ka shënuar edhe në Liga, por këtë e ka bërë në 120 ndeshje të luajtura.

Në ndeshjen tjetër të Grupit C, Napoli barazoi 1-1 me skuadrën e Union Berlin. Për italianët konsiderophej një ndeshje e lehtë në letër, por nujk ka rezultuar kështu në fushën e lojës. Pavarësisht se italianët kaluan të parët në epërsi me anë të Politanos në minutën e 39-të, barazpesha u rikthye në minutën e 52, ndërsa rezultati do të mbetej i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit. Sidoqoftë, Napoli mbetet në vendin e dytë të Grupit me 7 pikë, dhe me dy ndeshje nga fundi, kualifikimi duket mëse i realizueshëm për kampionët e Italisë, duke qenë se Braga e vendit të tretë k 3 pikë, kurse Union Berlin që klasifikohet në fund, ka një pikë.