Grupi C, Manchester City sërish përballë Shakhtar, kampionët e Anglisë me sytë nga faza tjetër

Sport

Për disa, shorti i fazës në grupe të “Champions League” ka qenë me të vërtetë dashamirës. Manchester City duket se është skuadra që do të ketë ecurinë më të thjeshtë për në fazën tjetër, pasi në grupin C do të sfidojnë emra si Shakhtar, Dinamo Zagreb dhe Atalanta. Kampionët e Anglisë janë në të njëjtin grup me Shakhtarin për 3-tin sezon radhazi dhe për ukrainasit, kujtimet e sezonit të shkuar nuk janë fort të mira. ‘Citizens’ triumfuan vjet me rezultatin e përgjithshëm 9-0, teksa me kundërshtarët e tjerë mund të provojnë të thyejnë rekordin e PSG për më shumë gola të shënuar gjatë fazës në grupe. Atalanta vjen si debutuese, por ka disavatanzhin që ndeshjet e saj do t’i luajë larg Bergamos, në ‘San Siro’ të Milanos.

Dinamo Zagreb arriti deri këtu falë fazës ‘play-off’ dhe vështirë se kroatët do të mund të shkaktojnë probleme për gjigandët anglezë. Megjithatë, lufta për vendin e dytë në grupin C pritet të jetë e fortë. Ndonëse Shakhtari shihet favorit kundrejt Dinamos dhe Atalantas, shanset për të treja skuadrat janë të njëjta dhe ndeshjet direkte mes tyre do të vendosin se cila do të kalojë më tej. Tek Manchester City duket se sytë janë menjëherë drejt fazës tjetër dhe pas shortit, Guardiola mund të mendojë i qetë edhe për të lënë ndonjë futbollist pushim gjatë këtyre sfidave. Pas eleminimit fatkeq në çerekfinalet e vitit të shkuar, tekniku katalanas kërkon më shumë se kushdo të rikthehet në majën e futbollit kontinental.