Grupi B/Ja reagimet e Bajern e Totenhem për shortin e Champions

Sport

Bajern kampion i Gjermanisë u shortua në grupin B, përkrah Totenham Hotspur, Olimpiakos dhe Crvena Zvezda. Bavarezët do ta nisin fushatën e këtij edicioni të Champions League më 18 shtator ndaj Crvena Zvezdës, por më i shumëpritur për ta është dueli me nënkampionët e Evropës Totenham Hotspur, përballja e parë me të cilët do të zhvillohet më 1 tetor në Londër. Deri tani, këto skuadra janë ndeshur 4 herë, me dy fitore të gjermanëve dhe një të anglezëve, ndërsa është regjistruar edhe një barazim. Përballja e fundit jo zyrtare ishte në një miqësore të kësaj vere, ku bavarezët humbën me penallti.


Gjithsesi, në kampin gjerman ka optimizëm në lidhje me shortin e Monacos. Këtë e ka përcjellw në radhë të parë drejtori ekzekutiv Karl Heinz Rummenige: “Mendoj se mund të jemi të kënaqur me atë që doli nga ky short i fazës së grupeve. Detyra jonë është t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, për t’u kualifikuar si kryesues të grupit tonë”. Gjithashtu, shorti është komentuar edhe nga trajneri Niko Kovac, i cili e ka konsideruar si një grup tepër interesant. Mbi të gjitha për faktin se do të luhet në stadiume, ku tifozët e skuadrave vendëse – vecanërisht për Olimpiakos e Crvenza Zvezda – premtojnë atmosfertë të ndezur. Gjithsesi, tekniku i Bajernit është shprehur i bindur se ekipi i tij nuk do ta diskutojë kualifikimin.


Me pozitivitet është pritur shorti edhe nga Totenhemi, ku trajneri Pochetino dhe lojtarët e tij kanë mbetur të kënaqur nga kundërshtarët, me të cilët do të përballen. Për “Spërs” ka folur një nga protagonistët e mëdhenj të ecurisë së jashtëzkonshme evropiane në edicionin e kaluar, Son Heung-Min. “Veçanërisht përballja me Bajernin do të jetë speciale, sepse bëhet fjalë për një nga ekipet më të mëdhenj në Evropë. Eshtë gjithmonë entuziasmuese të luash në kompeticione si Champions, përballë skuadrave të tilla. Duhet të kujtojmë dhe të mësojmë nga ajo që bëmë sezonin e kaluar”, ka deklaruar koreani i Totenhamit.