Grupi B i këtij botëroi i mbylli ndeshjet e treta me plot ankth, emocione dhe diskutime. Mund të konsiderohet mbrëmja e sistemit VAR, pasi plot gjykime u dhanë pikërisht pas konsultimit me të. Spanja rrezikoi të eliminohej përballë Marokut. Pas një gafe në mbrojtje Boutaib ndëshkoi “La Rojan” duke ia kaluar topin mes këmbëve portierit De Gea. Ky ishte realizimi i parë për Marokun në botëror që prej vitit 1998. La Roja reagoi dhe pas 5 minutash gjeti barazimin me Iscon. Por kjo sfidë pati plot raste dhe madje edhe dy gola të tjerë. Në pjesën e dytë Nasyri ktheu sërish në avantazh afrikanët. Me shifrat 2-1 ata ishin plot entuziazëm, por në fund Aspas barazoi 2-2, një barazim që si fillim u mohua për një pozicion jashtë loje nga gjyqtari Irmatov, por që pas ndërhyrjes së sistemit VAR, goli rezultoi i rregullt. Kështu 1 pikë me vlerë për Spanjën, që nuk humbet një ndeshje që prej vitit 2016-të. Përballja tjetër Iran-Portugali ishte edhe më e diskutuar.
Quaresma hapi ndeshjen për kampionët e Evropës me një gol nga ato të tijët duke e goditur topin me të jashtmen. Pjesa e dytë më pas kishte një penallti për portugezët. Sistemi VAR u përdor nga Caceres për t’i dhënë mundësinë Ronaldos për një njëmbëdhjetëmetërsh. Por ai nuk ishte i saktë. Minutat e fundit ishin më të trazuarat. Irani në të 93-ën fitoi gjithashtu një penallti me VAR dhe Ansarifard ishte i saktë për përfaqësuesen e Republikës Islamike. Kjo ishte penalltia e 19-të në këtë botëror duke sigluar një tjetër rekord. Në këto momente, Spanja po humbiste kundër Marokut dhe Irani mund të kualifikohej, por lajmi i barazimit të La Rojas, përloti të gjithë të pranishmit, të cilët ishin pranë një ëndrre. U mbyll 1-1 dhe barazim në të dyja sfidat, Spanja kryesoi me golavarash Grupin B përpara Portugalisë që u kualifikua për herë të katërt në historinë e saj.