Grupi A, PSG dhe Real Madrid përballë njëra-tjetrës për të shmangur surprizat

Sport

Shorti i “Champions League”-ës dhuroi disa përballje mjaft interesante gjatë fazës në grupe dhe një e tillë pritet edhe në grupin A. PSG dhe Real Madrid do të sfidohen me njëra-tjetrën për të shmangur surprizat e mundshme, teksa grupi plotësohet nga emra si Club Brugge dhe Galatasaray. Për kampionët e Francës, trajneri Tuchel u shpreh se do të jetë një mundësi e mirë për të testuar forcën përpara raundeve pasaradhëse. Nga ana tjetër, Real Madrid do të ketë provën e vërtetë të ‘fytyrës së re’ që ka marrë ‘los blancos’. Si PSG, edhe Real Madrid shihen si favorite absolute për të kaluar më tej, por mes tyre do të ketë luftë për vendin e parë. Në 1/8 duhen shmangur emrat e mëdhenj dhe kreu i grupit mund të garantojë një ecuri më të lehtë në fazën tjetër.

2 sezone më parë, PSG dhe Real Madrid sfidoheshin pikërisht në fazën e 1/8-ave. Asokohe, madrilenët triumfonin në të dyja ndeshjet dhe vazhdonin më tej, duke i shkuar deri në fund kompeticionit. Ndërsa Club Brugge dhe Galatasaray duket se do të luftojnë mes tyre për vendin e tretë, çfarë do t’u lejojnte vazhdimin e ëndrrës europiane në kompeticonin më të vogël, “Europa League”. Për shumë nga lojtarët e Club Brugge, fakti që do të sfidojnë Real Madrid do të jetë një ëndërr e bërë realitet. Kurse kampionët e Turqisë, pavarësisht nisjes jo të mirë të sezonit, kanë besimin se skuadra ka cilësitë e duhura për të shkaktuar ndonjë surprizë gjatë fazës në grupe.