Griezmann rrëfehet për aventurën e re tek katalanasit

Sport

Antoine Griezmann plotësoi një nga dëshirat e tij të mëdha për t’u transferuar tek Barcelona dhe ndonëse debutimi i tij ndaj Chelseat nuk shkoi si duhet, francezi është i lumtur me hapat e parë tek katalanasit. Griezmann u shpreh se u emocionua shumë kur zbriti në fushë me fanellën e Barcelonës, pasi për të është diçka speciale dhe një arritje mjaft e rëndësishme. Sulmuesi shtoi se me lojtarë si Luis Suarez dhe Leo Messi, ai e ka shumë të thjeshtë të shprehet si duhet në fushë, ndonëse ende nuk është i qartë për rolin që do të ketë. Kjo në fakt ka qenë ndër temat më të diskutuara në kampin e Barcelonës, por vetë Griezmann nuk shqetësohet, pasi thoë se është i gatshëm të kryejë çdo detyrë që i kërkon trajneri Valverde.

28-vjeçari nuk dëshiron të jetë një lojtar stoli dhe për këtë arsye, thotë se do të bëjë maksimumin që të rrisë sa më shumë nivelin e lojës, si dhe të japë kontributin e tij për skuadrën. Griezmann shmangu pyetjet në lidhje me pretendimet e Atletico Madrid për një marrëveshje të parakohshme mes tij dhe Barcelonës, duke thënë se këto janë çështje që nuk i përkasin fushës së lojës. Në fund, kampioni i botës u ndal edhe tek ndërhyrja e ashpër Jorginho në sfidën ndaj Chelseat, ku pranoi se ndjente dhimbje dhe se ndërhyrja e kundërshtarit të tij ishte e ashpër, por gjithësesi këto janë gjëra që sipas tij ndodhin në futboll, prandaj ai e kaloi pa polemika.