Një cështje e re është krijuar në Francë pas fjalëve të sulmuesit të Real Madrid, Karim Benzema, i cili në një lidhje të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, nuk pranoi të krahasohej me Olivier Giroud. Sipas Benzema, të krahasohej me lojtarin e Chelsea-t ishte e pavend, pasi për të është njësoj sikur të krahasosh një makinë të ‘Formula 1’ me një të ‘go-kart’. Në lidhje me këto deklarata është intervistuar edhe Antoine Griezmann, i cili menjëherë ka dalë në mbrojtje të Giroud e madje nuk ka kursyer as të ‘thumbojë’ Benzema me fjalët e tij. Griezmann u shpreh se Giroud është një njeri dhe futbollist fantastik, i cili ndihmoi Francën të shpallej kampione e botës, gjë që sipas tij është një nga më të rëndësishmet në jetën e një futbollisti. Benzema nuk ishte pjesë e Francës në këtë sukses madhor. Madje ai është i përjashtuar nga kombëtarja e ‘gjelave’ për shkak të skandalit të disa viteve më parë me Mathieu Valbuena. Gjithësesi, sulmuesi i Realit nxitoi të kthente përgjigje, duke thënë se njerëzit apo mediat janë të prirura të kapen me fjalët negative që ai thotë, teksa shtoi se përpara krahasimit që bëri me Giroud, e kishte lavdëruar këtë të fundit për performancat dhe për atë që ka bërë për Francën.