Antoine Griezmann është padyshim një nga emrat më të përmendur të merkatos verore. Francezi prej muajsh pati deklaruar se kërkonte të largohej nga Atletico Madrid, mirëpo përpjekjet e shumta të Diego Simeones për ta mbajtur në skuadër, bënë që Griezmann të ishte i pasigurtë për vendimin e tij. Sulmuesi tregoi sërish përgjatë sezonit 2017-2018 se sa i rëndësishëm është për “los colchoneros”, teksa në 49 takime të luajtura, shënoi 29 gola dhe shërbeu 15 asiste.
Në një intervistë të dhënë së fundmi, në kuadër të botërorit, 27-vjeçari deklaroi se tashmë e ka vendosur se cila do të jetë ardhmja e tij, por për momentin nuk kërkon të konfirmojë asgje, pasi është plotësisht i përqendruar tek kombëtarja e Francës. “Mundo Deportivo” shkruan se Griezmann do të zyrtarizojë të ardhmen e tij me anë të një video që do postohet në rrjetet sociale, ndërsa në Barcelonë janë të sigurt që lojtari ka vendosur të transferohet tek blaugranat, për një shifër rreth 100 milionë euro. Kurse një spekulim tjetër flet për një rinovim të tij me Atletico Madrid. Ky aludim bëhet për shkak të një spoti të ri publicitar, ende të papublikuar me një sponsor, ku Griezmann shfaqet me fanellën e “los colchoneros”.