Antoine Griezmann duket se i ka të qarta idetë e tij sa i përket të ardhmes. Francezi shihet gjithmonë e më pranë firmës me skuadrën e Barcelonës, sidomos pas refuzimit të rinovimit të kontratës me klubin aktual, Atletico Madrid. Siç raporton e përditëshmja franceze “Le 10 Sport”, 26-vjeçari kërkon vetëm kalimin tek katalanasit, pavarësisht kontratës së përmirësuar ndjeshëm nga ana e “los colchoneros”.
Një sinjal i qartë ky për Barcelonën, që tashmë i mbetet vetëm të aktivizoje klauzolën e parashikuar në kontratën aktuale të Griezmann me Atletico Madrid, që mendohet të jetë rreth 100 milione euro. Megjithatë, tek blaugranat duhet të tregohen të kujdesshëm sa u përket shpenzimeve me shifra të tilla, pasi pas blerjeve të Ousmane Dembele dhe Coutinho, janë vënë nën shënjestrën e UEFA në kuadër të rregullit të “Fair-play” financiar.
Antoine Griezmann këtë sezon numëron 36 ndeshje me Atletico Madrid, ku ka realizuar 21 gola dhe ka shërbyer 12 asiste. Ndërsa së fundmi, ai u shpall edhe lojtari më i mirë në La Liga për muajin shkurt.