Grezda tregon arsyet që e rikthyen tek Osijeku

Sport

Eros Grezda nisi zyrtarisht aventurën e dytë te Osijeku, ku vendosi të rikthehet pas dështimit te Rangersi. Gjakovari nuk përjetoi një përvojë të mirë në Skoci dhe vendosi të bëjë kthimin aty ku kishte pasur shkëlqimin e tij, duke firmosur për 3 vjet.
Ndërkohë, duke folur për mediet gjatë prezantimit të tij te klubi kroat, ai zbuloi se kishte pasur edhe oferta të tjera, por bëri atë që i tha zemra. “Jam i kënaqur që rikthehem. Kam pasur disa oferta, si nga shtete të tjera ashtu edhe nga Kroacia. Madje kisha edhe oferta nga konkurrentët në këtë kampionat. U interesuan për të marrë shërbimet e mia edhe Hajduku me Rijekën, por unë vendosa të vij këtu pasi është një ambient që e njoh mirë. Mezi pres ta vazhdoj aty ku e lashë këtu, përderisa kam kaluar periudhën më të mirë të karrierës tim”, u shpreh Grezda
Në këtë prezantim, drejtues të klubit të Osijek e vlerësuan transferimin e 24-vjeçarit si një marrëveshje të shkëlqyer në aspektin financar, pasi transferimi u krye me një çmim simbolik. Megjithëse drejtori sportiv Alen Petrovic pranoi se Rangers do të ketë përqeindje në rast shitjeje të lojtarit në të ardhmen. Vetë Grezda foli edhe për përvojën e kaluar në Gllasgou, teksa pohoi se thjesht stërvitja në një klub si Rangers, ishte një përvojë që e ka pjekur shumë, si njeri dhe si futbollist.
24-vjecari e ka humbur tashmë vendin në skuadrën e Kombëtares së Shqipërisë që kur në stol u emërua trajneri Edy Reja, megjithatë për t’u rikthyer te kuqezinjtë ai duhet të shfaqë formë të mirë në kampionatin kroat.