Grezda: Ja kush më ‘përndjek’ në lëvizjet e mia

Sport

eros gol
Ende nuk ka debutuar si titullar në një ndeshje kampionati me Gllasggou Rangers. Mirëpo dy ndeshjet e aktivizimit me Kombëtaren e kanë ndihmuar së tepërmi Eros Grezdën, në procesin e rigjetjes së formës së duhur fizike, pas një dëmtimi që e ka penalizuar në startin e sezonit.  Në pritje për ta shikuar në fushë me fanelën e skuadrës së Steven Gerrard, ai ka rrëfyer për “Sportske.jutarnji”disa prapaskena në lidhje me transferimin e tij në Skoci. Pikërisht te blutë nga Gllasgou, ai është bashkuar me Born Barisic në një skuadër, për herë të tretë radhazi. Si fillim u njohën te Lokomotiva e Zagrebit, më pas ishin në një skuadër te Osijeku e tashmë gjenden krah njëri-tjetrit edhe me Rangers.

eros

“E nisëm miqësinë tonë te Lokomotiva, ku u bëmë menjëherë shokë të ngushtë. Vazhduam te Osijek-u, atyb ku miqësia u forcua më tepër. Kurse tani jemi bashkë edhe te Rangers. Pa frikë mund të them se ai është…menaxheri im”, ka treguar Grezda me shaka. Gjithashtu, mesfushori-sulmues ka rrëfyer sesi kroati ndikoi direkt në lëvizjen e tij drejt Gllasgout. “U informova që drejtuesit e Rangers kishin disa kohë që më kishin ndjekur. Madje vetë Gerrard më kishte parë gjatë sfidave të kampionatit në radhët e Osijekut. Sikur të mos mjaftonte kaq, kur Barisic shkoi atje, ai i foli në lidhje me aftësitë e mia. Natyrisht duke bindur edhe më shumë për atë se cfarë isha në gjendje të bëja”, ka treguar Grezda. Ndërsa sa i takon debutimit si titullar me skocezët, ai ka thënë se nuk është ende gati, pasi gjendet duke kryer fazën e rikuperimit. Gjithsesi duket se aktivizimi i tij në radhët e Rangers, nuk pritet të vonojë shumë.