«Grezda, i mirë por….për stol!»

Sport

eros
U transferua me shumë bujë te Gllasgou Rangers në Skoci, aq sa edhe Steven Gerrard guxoi t’u thotë tifozëve se do ta fillonin ta adhuronin shumë shpejt një lojtar si Eros Grezda. Shqiptari i ardhur nga Lokomotiva e Zagrebit, në sytë e trajnerit që për momentin është më i famshëm si ish-futbollist i Liverpulit, ishte një produkt pothuajse i gatshëm, i cili duhej thjesht të gjente veten pas dëmtimit, prej të cilit vinte. Pa harruar as ambientimin me futbollin skocez. Por kur kanë kaluar gati 2 muaj, tifozët e bluve të Gllasgou, ende nuk e kanë patur mundësinë të shohin Grezdën e vërtetë. Futbollisti i Kombëtares shqiptare ka hyrë në lojë thjesht si zvendësues për disa minuta, në fragmentet e fundit të lojës në kampionat dhe Europa League. Ndërkohë që nuk është preferuar aspak në ndeshjet e Kupave brenda Skocisë, të cilat konsiderohen të një niveli më të ulët rëndësie.

maxresdefault

Rangersi humbi 1-0 të dielën takimin e vlefshëm për Kupën “Betfred” përballë Aberdeen. Edhe pse gjendej në stol, Grezda sërish nuk u preferua për asnjë minutë prej trajnerit Gerrard. Kaq është dashur që të vërshojnë edhe thumbimet e tifozëve nëpër rrjetet sociale. Përpara ndeshjes ata kërkonin aktivizimin me ngulm të shqiptarit, pasi në këtë mënyrë do të mund të niste edhe ambientimi me futbollin skocez. Ndërsa pas humbjes me Aberdeen, ata kanë mbetur disi të mërzitur, jo vetëm për rezultatin, por disi edhe për aktivizimin e munguar të një lojtari si Grezda. I trumbetuar si ndër ata cilësorët, por mesa duket që ende s’ia ka mbushur mendjen Gerrard për ta hedhur në fushë me kohë të plotë. Aq sa me të drejtë, tifozët kanë dalë edhe në konkluzionin se “Grezda mund të jetë i mirë…por ndoshta, vetëm për të qendruar në pankinë”.