Grasshopers bie nga kategoria, fansat ndërpresin ndeshjen!

Sport

Klubi zvicerian i Grasshopersit, në radhët e të cilit aktivizohen edhe mbrojtësit e Kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti dhe Bujar Lika, përfundimisht nuk e shmangut dot rënien nga Superliga, për herë të parë pas 70 vjetësh. Skuadra nga Zyrihu u shpartallua me rezultatin 4-0 nga Luzerni gjatë fundjavës. Mirëpo, pritet ta humbasë këtë ndeshje në tavolinë, pasi në minutën e 68-të, tifozët miq nuk u përmbajtën duke thyer rrethimin e stadiumit, teksa u futën në fushë, për të mos lejuar vazhdimin e ndeshjes.


Pas një takimi me portierin, ultrasit e Grasshopersit kërkuan që lojtarët t’u dorëzonin atyre fanellat që kishin veshur, pasi nuk meritonin t’i mbanin e të përfaqësonin klubin më të titulluar në Zvicër. Dhe ashtu ndodhi… Futbollistët u rikthyen në fushë, dorëzuan fanellat dhe u larguan kokulur. Pjesë e formacionit titullar në turpërimin e e takimit të së dielës ishin edhe 2 futbollistët që kanë qenë pjesë e përfaqësueses kuqezi, me Ajetin, i cili rikthehej pas një periudhe të gjatë larg fushave si pasojë e një problemi fizik. Ndërkohë, mes golave për vendasit ishte për t’u veçuar edhe ai i kosovarit Voca. Kurse sa i takon lojtarëve të tjerë shqiptarë, Sioni i Lenjanit u mund 2-1 nga St.Galen, por anësori kuqezi nuk zbriti në fushë. Kampionët e Young Boys fitoi 3-1 ndeshjen me Baselin, ku Taulant Xhaka u aktivizua titullar për 90′.