Granit Xhaka ka qenë i pranishëm në “Elbasan Arena” për të mbështur Taulantin, gjatë ndeshjes së luajtur të martën në mbrëmje kundër Moldavisë. Lojtari shqiptar i Arsenalit, që ka zgjedhur të luajë për Kombëtaren zvicerane, ka marrë rrugën drejt Shqipërisë për të ndjekur të vëllanë që ka zgjedhur ngjyrat kuqezi. Mirëpo, mesfushori i Bazelit nuk është preferuar nga ana e trajnerit Reja, duke qendruar në stol përgjatë të gjithë 90 minutave, çka natyrisht nuk i ka pëlqyer vetë Taulantit. Në një moment, edhe Graniti që ka qenë bashkë me vëllain tjetër të familjes Xhaka, Agonin, është dukur paksa i pezmatuar nga ky vendim i teknikut italian. Megjithëse fitorja në fund, sikur e ka zbehur pak këtë mërzi.
Nga ana tjetër, mesfushori i Zvicrës ka folur edhe për të ardhmen e tij, duke larguar zërat se do të lëvizë nga Arsenali, ku në sezonin e fundit ka luajtur 29 ndeshje, duke shënuar 4 gola dhe 2 asiste. Kohët e funduit, Xhaka është përfolur për një transferim të mundshëm tek Ineri në Itali, pasi pëlqehet nga trajneri Antonio Conte. Por në një kohë kur thuhet se Arsenali nuk do ta lëshonte pa marrë 40 milionë euro në këmbim, kanë ardhur edhe fjalët e vetë Granitit. “Nuk e kam në plan të largohem nga Arsenali, sepse kam edhe 4 vite të tjera kontratë. Jam me të vërtetë i lumtur në Lonër, e po ashtu edhe familja ime. Kjo mendoj se është tepër e rëndësishme”, është mjaftuar të thotë 26-vjeçari, skuadra e të cilit u rendit e gjashtë në Premier League, duke mos aritur dot kualifikimin për në edicionin e ardhshëm të Champions League.