Ky mund të jetë sezoni i fundit që Granit Xhaka luan me fanellën e Arsenalit. Në merkaton e verës që po vjen, klubi londinez pritet të shpenzojë konsiderueshëm në repartin e mesfushës, duke sjellë në Emirates lojtarë të freskët në moshë dhe me mjaft potencial.
Duke marrë parasysh që Xhaka tashmë është 30 vjeç, mundësitë janë të mëdha që në edicionin tjetër, ai të ulet në stol nga trajneri Mikel Arteta. Mirëpo, vetë futbollisti, nuk dëshiron ta shohë skuadrën nga pankina, e për këtë arsye është mëse e mundshme që të largohet nga 13 herë kampionët e Anglisë.
Vite më parë, Xhaka krisi marrëdhënien edhe me tifozët e klubit, por falë paraqitjeve pozitive në fushë, ai arriti ta fitonte sërish dashurinë e mbështetësve të Gunners. Edhe këtë sezon, 30 vjeçari ka luajtur një rol të rëndësishëm në garën e Arsenalit për titullin kampion, duke qenë një nga futbollistët më të qëndrueshëm në tapetin e blertë.
Sidoqoftë, nëse e kupton se nuk do të ketë më vend në formacion, Xhaka nuk do mendohet dy herë, por është gati të të paketojë valixhet nga Emirates. Sa i përket të ardhmes së tij, ajo pritet të jetë në Bundesligë, tek Bayer Leverkusen, me klubin gjerman që ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar me mesfushorin. Për ta lënë të lirë lojtarin, Arsenali kërkon rreth 15 mln euro.