Dy ekipet nga Grupi A në Euro 2016 – Franca dhe Zvicra – kanë vazhduar tutje në fazat eliminuese të Kampionatit Evropian, përderisa fitorja 1-0 e Shqipërisë ndaj Rumanisë nënkupton se kuqezinjtë duhet të presin për t’u kualifikuar si një nga katër ekipet më të mira të vendit të tretë.
Grupi A është quajtur nga shumë njerëz si grupi më i dobët i kampionatit, por më poshtë mund të mësoni se kush janë 5 lojtarët më të mirë të cilët e dhanë më të mirën për kombëtaren e tyre.
Nga numërimi mbrapsht, këta janë 5 lojtarët më të mirë të Grupit A:
5. Ledian Memushaj, Shqipëri
Memushaj nuk startoi në ndeshjen e parë të Shqipërisë, por pas humbjes nga Zvicra u bënë ndryshime dhe Memushaj hyri në lojë duke vendosur një performancë më të mirë të ekipit kundër Francës. Memushaj ishte njëri nga lojtarët vendimtar në fitoren e Shqipërisë kundër Rumanisë. Ai krijoi shanse dhe bëri një krosim perfekt për Sadikun, i cili shënoi gol, shkruan Gazeta Express
4. Yann Sommer, Zvicër
Sommer mund të konsiderohet si njëri nga portierët më të mirë në kampionat deri më tani, për shkak të performancës së tij. Sommer shpëtoi dy herë portën në lojën e Zvicrës me Shqipërinë dhe ka vazhduar ta ruaj portën shumë mirë. I vetmi gol që ai e ka pranuar deri më tani në Euro është nga penaltia kundër Rumanisë.
3. Granit Xhaka, Zvicër
I përballur me detyrën e vështirë për të luajtur kundër vëllait të tij Taulantit, Xhaka ia doli të performonte mirë, duke dominuar mesfushën me 102 pasime të kompletuara. Xhaka u tregua i mahnitshëm edhe ndaj Rumanisë dhe Francës. Kundër Rumanisë ai kompletoi 95 pasime, dhe kundër Francës 85. Xhaka ishte i vëmendshëm edhe ndaj Antonie Griezmann, duke qëndruar pranë tij sa herë që Franca shikonte ta furnizonte me topa Griezmannin në qendër.
2. N’Golo Kante, Francë
Duke folur për të në BBC, Thierry Henry tha: “Për mua ai është lojtari më konsistent. Mendoj që ai është djali që i ka nderuar më së shumti njerëzit në Francë. Ai është lojtari i parë që ndaloi sulmet e kundërshtarëve dhe i pari që niste kundërsulmet”. I emëruar lojtari i vitit nga PFA, Kante ka treguar një performancë të jashtëzakonshme me Francën.
1. Dimitri Payet, Francë
Payet ka mahnitur të gjithë në Euro 2016 deri më tani me disa shfaqje mahnitëse. I pushtuar nga lotët pas emocioneve në fitoren e vonshme kundër Rumanisë, Payet vazhdoi këtë edhe kundër Shqipërisë, duke e ndihmuar skuadrën që ta thyej rezistencën e kuqezinjve dhe të shënojë një gol të dytë. Payet ka filluar të bëhet ylli i Francës, për të ‘eklipsuar’ lojtarët si Pogba dhe Griezmann, të cilët tërhoqën më shumë vëmendje para fillimit të kampionatit. /Gazeta Express