Granit Xhaka mund të rinovojë kontratën me Arsenalin

Sport

Granit Xhaka mund të rinovojë kontratën me Arsenalin. 30 vjeçari është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Gunners, sidomos këtë edicion futbollistik, ku me kontributin e tij, po e ndihmon ekipin të jetë në garë për titullin kampion, që në Emirates mungon thuajse prej dy dekadash.

Performancat e Xhakës me Arsenalin kanë ardhur gjithmonë në rritje, sidomos pas Tetorit të 2019-tës, atëherë kur pati edhe një përplasje me tifozët e kubit, për shkak të heqjes së shiritit të kapitenit në sfidën ndaj Crystal Palace.

Megjithatë, që prej atij momenti, situata ka ndryshuar dhe një rol kyç në këtë mes e ka luajtur trajneri Mikel Arteta, i cili e bindi lojtarin që mos largohej nga 13 herë kampionët e Anglisë. E në fakt kështu ndodhi. Xhaka qëndroi, teksa me paraqitjet e tij pozitive, ka fituar edhe një herë tjetër dashurinë e tifozëve, ndërsa është gjithashtu edhe kapiteni i dytë i skuadrës, pas Martin Odegaard.

Në rrethana të tilla, sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, drejtuesit e Arsenalit pritet t’i ofrojnë Xhakës një rinovim të kontratës, me atë aktualen që përfundon në verën e 2024-tës, por që ka mundësi të rinovohet edhe për një vit më tepër.

Megjithatë, kjo është pjesë e marrëveshjes së vjetër, sepse në të renë, pritet të ketë të tjera kushte.

Xhaka është bashkuar me Arsenalin që prej korrikut të 2016-tës, e prej atëherë ka luajtur më tepër se 300 ndeshje me Arsenalin në të gjitha kompeticionet.